Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes rrjeteve sociale ndaj kritikave të protestuesve në lidhje me projektligjin "Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore tek personat fizikë dhe juridikë të huaj". Përmes një postimi në Facebook, Rama ka ironizuar qëndrimin e aktivistit Klajdi Bello, i cili e kishte cilësuar ligjin si cenim të sovranitetit kombëtar dhe kishte paralajmëruar mosbindje civile.
Në kundërpërgjigjen e tij, kryeministri citoi vargje nga At Gjergj Fishta dhe i cilësoi kritikat si të pabaza, duke argumentuar se protestuesit nuk kishin lexuar përmbajtjen e ligjit. Sipas Ramës, ky projektligj është pjesë e procesit të negociatave për integrimin në Bashkimin Europian dhe e drejta e blerjes së tokës nga shtetasit e huaj do të hyjë në fuqi vetëm 7 vjet pas anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në BE.
Rama theksoi se kjo masë do të mundësojë reciprocitet, ku qytetarët europianë do të kenë të drejtë të blejnë tokë në Shqipëri, njësoj siç do të mund të bëjnë shtetasit shqiptarë në vendet anëtare të unionit. Sipas tij, me hyrjen në BE, Shqipëria do të jetë e barabartë me shtetet e tjera anëtare.
Ky reagim vjen në një periudhë kur kryeqyteti është përfshirë nga protesta të vazhdueshme. Për të 26-tën ditë radhazi, qytetarët kanë protestuar përpara institucioneve, duke ngritur shqetësime lidhur me çështje të ndryshme politike dhe ekonomike, përfshirë debatin për pronësinë e tokave.