Kryeministri Edi Rama komentoi për herë të parë tensionet e brendshme në Partinë Socialiste gjatë një bashkëbisedimi me botuesin e Koha Jonë, Nikollë Lesin, të transmetuar më 12-13 maj 2026 në faqen e tij në Facebook.
I pyetur nëse brenda partisë po "zien kazani", me përmendje të emrave si Elisa Spiropali, Erion Braçe dhe Ogerta Manastirliu, Rama u ndal fillimisht te deputeti Braçe. "Erion Braçja ka qenë ai që është dhe do të mbetet ky që është. Nuk ka asgjë të re, ai ashtu ka qenë, ashtu është, ashtu do të jetë dhe ashtu duhet të jetë. Është vetvetja. Kush përpiqet ta imitojë, bën gabim", u shpreh ai.
Sa i përket Elisa Spiropalit, e cila ka reaguar publikisht pas debateve në grupin parlamentar dhe ka kërkuar vetë përjashtim, Rama tha: "S’ka gjë për të shënuar këtu. Çfarë ka?". Kur Lesi pyeti nëse ajo rrezikon përjashtimin, kryeministri u përgjigj: "Kush thotë ‘hajde, këtu më ke, më vrit’, e thotë ngaqë të do. Nuk duhen marrë literalisht këto gjëra. Janë normale për sa kohë nuk prekin vijën e kuqe."
Ai shtoi se çdo njeri mund të gabojë, ndërsa kush ka dhënë kontribute mund të gabojë edhe herën e dytë. "E treta pastaj e ndan", theksoi Rama.
Burimet raportojnë se Spiropali ka shkelur dy vija të kuqe sipas disa komenteve, por Rama nuk e konfirmoi, duke u fokusuar te kontributet e saj politike.