Kryeministri Edi Rama u është drejtuar me kritika institucioneve të drejtësisë gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
Ai foli për hetimet ndaj punonjësve të administratës, duke theksuar nevojën për respektimin e prezumimit të pafajësisë. Rama deklaroi se të dyshuarit nuk mund të thirren në prokurori dhe të mbahen me orë të tëra gjatë orarit të punës, si dhe se u ushtrohet presion për të pranuar faje që nuk i kanë bërë.
Sipas tij, nuk do të ngrihet asnjë pretendim që pengon hetimet, por e quajti të papranueshme situatën kur 40 shtëpi të zyrtarëve kontrollohen natën e Vitit të Ri ose kur thirren me tufa nga puna pa pyetur për detyrat e tyre. Rama pyeti se çfarë halli është ky, kur njerëzit duhet të jenë në krye të detyrës, veçanërisht për emergjenca natyrore, dhe shtoi se vetëm prokurorët nuk punojnë për shtetin.
Në deklaratën e tij, kryeministri tha: «Nuk do ngremë asnjë pretendim që pengon hetimet për këdoqoftë, dhe pse kjo alibi është për të vënë ulërimën kur paketohet si paketë për arrest. I shkohet në banesë për kontroll natën e Vitit të Ri, apo duke e thirrur në prokurori për të pranuar faje që nuk i ka bërë me presion, ai është presion… ç’është ky hall që thirren njerëzit nga puna me tufa, në orar të punës, e mbahen atje me orë të tëra pa pyetur ore keni ndonjë punë ju? Keni ndonjë mbledhje? Afat? Se për të njëjtin shtet punojmë. Dhe thirren kur në fakt duhet të jenë në krye të detyrës për emergjenca natyrore, a thua se vetëm prokurorët punojnë për shtetin. Njerëzit kanë të drejtë të prezumohen të pafajshëm dhe të hetohen në gjendje të lirë deri sa të provohet faji».