Edi Rama deklaroi në takimin me kryebashkiakët se do të përdoret një fond prej 20 milionë eurosh, i siguruar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, për blerjen e mjeteve në shërbim të kullimit dhe zhvillimit rural. Ky propozim erdhi nga ministri Demo dhe gjeti mbështetje të plotë nga qeveria.
Rama theksoi se një element kyç në menaxhimin e emergjencave, si përmbytjet, është niveli i rezistencës së infrastrukturës mbrojtëse, përfshirë kanalet e kullimit, argjinaturat dhe hidrovoret. Sipas tij, kjo infrastrukturë është përmirësuar ndjeshëm gjatë 10 viteve të fundit, por analiza tregojnë pika ku rezistenca mbetet e dobët.
Kreu i qeverisë nënvizoi nevojën për të përcaktuar me saktësi zonat prioritare për forcimin e infrastrukturës dhe për të rritur ndërveprimin mes pushtetit vendor dhe atij qendror. Flota e mjeteve të reja do të përqendrojë forca në zonat me emergjenca të shpeshta ose do të shërbejë për mirëmbajtjen normale të kanaleve sipas nevojave të bashkive.
Si shembull, Rama përmendi Dibërin, ku një flotë e tillë ka funksionuar mirë. Ai shtoi se ministri Demo do ta çojë përpara këtë projekt sipas qarqeve.