Edi Rama mbledh sot Grupin Parlamentar socialist për të përcaktuar qëndrimin zyrtar ndaj kërkesës së SPAK drejtuar Kuvendit për autorizimin e arrestimit të deputetes Belinda Balluku. Mbledhja zhvillohet në orën 11:00 në Pallatin e Brigadave.
Agjenda nis me fjalën e kryeministrit Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste. Pas saj vijnë raportet e ministrave:
- Petrit Malaj, ministër i Financave;
- Majlinda Dhuka, ministre e Shtetit dhe kryenegociatore;
- Delina Ibrahimaj, ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit;
- Adea Pirdeni, ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin;
- Albana Koçiu, ministre e Punëve të Brendshme;
- Piro Vengu, ministër i Mbrojtjes;
- Evis Sala, ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale;
- Mirela Kumbaro, ministre e Arsimit;
- Ervin Demo, ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor;
- Besfort Lamallari, ministër i Drejtësisë.
Më pas flet kryetari i grupit Taulant Balla. Deputetët do të dëgjojnë edhe relatimin e Ulsi Manjës, bazuar në atë që u parashtrua nga prokurorët e SPAK në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
Taulant Balla paralajmëroi një ditë më parë, pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, se kjo është mbledhja e parë e grupit për kolegen Belinda Balluku.
Sipas burimeve, tre ditë më parë pesë anëtarë të mazhorancës në një mbledhje me dyer të mbyllura kanë lënë të kuptohet para prokurorëve të SPAK se masa e pezullimit është e mjaftueshme. Gjithashtu, ish-deputeti socialist Petro Koçi deklaroi dy ditë më parë se beson se Partia Socialiste do të jetë kundër kërkesës së GJJKKO-së. Për momentin, trendi i qëndrimit të socialistëve anon nga mosdhënia e autorizimit për arrestim.
Përditësime
Çështja e Ballukut nuk figuron zyrtarisht në axhendën e mbledhjes së Kryeministrit Edi Rama me Grupin Parlamentar Socialist, por pritet të diskutohet.
- Ministrat kanë 7 minuta për prezantimin e raporteve.
- Partia Demokratike përgatit raport paralel kundër mazhorancës.
- Vendimi i Kuvendit pritet në seancat plenare të 5 marsit ose 12 marsit.