Kryeministri Edi Rama ka theksuar nevojën për të mbrojtur investimet e huaja në vend, duke shprehur shqetësimin se protestat e organizuara mund të pengojnë zhvillimin ekonomik. Gjatë fjalës së tij në Shkodër, ai e cilësoi të dëmshme largimin e investitorëve të mëdhenj strategjikë, duke kujtuar një rast kur një sipërmarrës u largua nga Shqipëria për të investuar në Tivat të Malit të Zi.
Lidhur me protestat e fundit, përfshirë atë kundër projektit në Zvërnec, kreu i qeverisë ndau me të pranishmit një bisedë private me një mikun e tij, personazh i njohur në rrjetet sociale. Sipas Ramës, gjatë bisedës, miku i tij pranoi se pjesëmarrja në protestë nuk ishte e motivuar nga shqetësimet për ambientin, por nga dëshira për audiencë në Instagram.
"Po kam o vëlla Instagramin, bëhet nami, si t'i lë?", citoi Rama mikun e tij, duke shtuar se fenomenet e tilla nuk duhet të dëmtojnë mundësitë e zhvillimit të vendit. Kryeministri u shpreh se, ndërsa ka arsye legjitime për të protestuar, pjesëmarrja e figurave publike për përfitime të audiencës dixhitale po kthehet në një fenomen shqetësues. Ai bëri thirrje për përqendrim te puna dhe bashkimi, duke theksuar se investitori që ikën është një humbje që vendi nuk duhet ta përsërisë.