Kryeministri Edi Rama deklaroi të premten, më 13 mars 2026, se do të çojë përpara nismën ligjore që bllokon masën e pezullimit nga detyra për anëtarët e kabinetit të tij, si dhe ndryshime të tjera në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale.
Nisma mori shkak nga vendimi për pezullimin e ish-zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila akuzohet për shkelje të barazisë në tendera. “Ai është një ndryshim i domosdoshëm që do bëhet, siç e kemi thënë dhe është në proces dhe do votohet, nuk diskutohet fare,” tha Rama.
Ai shtoi: “Nuk ka shans që të ndodhë më në Shqipëri që të çojë një prokuror me një gjykatës që të pezullojnë funksionet vitale të qeverisë apo të institucioneve të tjera, të cilat nuk mund t’i delegojnë dot.” Rama pranoi se këto nuk janë ndryshimet e vetme: “Patjetër që ne do bëjmë ndryshime të tjera, sepse kemi Kodin e ri Penal, kemi ndërhyrjet e domosdoshme në Kodin e Procedurës Penale.” Ai theksoi se qëllimi nuk është kthimi pas i reformës në drejtësi, por përmirësimi i saj.
Ndryshimet kanë shqetësuar Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila në raportin vjetor i cilëson nismat që kufizojnë mjetet procedurale dhe pavarësinë e saj si “rrezik serioz për funksionin kushtetues të SPAK dhe për vetë shtetin e së drejtës”.
Rama u përgjigj: “Mendoj se nuk është puna e SPAK-ut që t’i thotë Parlamentit të Shqipërisë çfarë duhet të bëjë Parlamenti i Shqipërisë. SPAK të shohë punën e vet, ne të shohim punën tonë.” Ai nënvizoi se Parlamenti “nuk varet as nga SPAK, as nga ambasadat, as nga askush tjetër”.
Përditësime
Ministria e Drejtësisë prezantoi disa muaj më parë draftin e Kodit të ri Penal, i cili u kritikua për krijimin e "konfuzionit dhe paqartësisë".