Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një prononcim me shkrim për agjencinë e lajmeve Bloomberg, deklaroi se ekzekutivi nuk do të heqë dorë nga projektet turistike të nivelit të lartë në gadishullin e Zvernecit dhe ishullin e Sazanit. Këto investime mbështeten nga kompania Affinity Partners, e cila drejtohet nga Jared Kushner.
Sipas Ramës, kundërshtimet publike të shprehura përmes protestave të përditshme duhet të shihen si një "teatër politik" dhe jo si përfaqësim i vullnetit të vërtetë qytetar. Kryeministri nënvizoi se mandati i marrë në zgjedhjet e fundit i ofron qeverisë legjitimitetin e nevojshëm për të avancuar me transformimin e vendit, duke refuzuar t'i konsiderojë këto tubime si pengesë për planet qeveritare. Ai theksoi se vendimmarrja nuk do të ndikohet nga "zërat më të zhurmshëm në internet".
Protestat, të cilat filluan pas nisjes së punimeve paraprake në zonën e Zvernecit në fund të muajit maj, kanë shoqëruar gjithashtu planet për zhvillimin e Sazanit, për të cilat kishte folur më herët edhe Ivanka Trump. Në deklaratat e tij, Rama ka sugjeruar se protestat mund të jenë të nxitura në mënyrë artificiale dhe ka lënë të kuptohet për mundësinë e ndikimit nga faktorë të jashtëm, ndonëse nuk ka paraqitur prova konkrete në mbështetje të këtyre pretendimeve. Kryeministri ripërsëriti përkushtimin për realizimin e vizionit Shqipëria 2030, duke theksuar se këto projekte do të vijojnë pavarësisht kundërshtive.
Përditësime
Kryeministri Edi Rama akuzoi "aktorë të huaj keqdashës", duke aluduar se Irani po shfrytëzon mjete dixhitale për të nxitur pakënaqësi popullore dhe protesta në vend. Rama e lidhi këtë ndërhyrje me strehimin e anëtarëve të organizatës MEK në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama deklaroi për agjencinë Bloomberg se qeveria nuk do të tërhiqet nga investimet në Zvërnec dhe Sazan, duke hedhur poshtë pretendimet për parregullsi. Sipas Ramës, vendimmarrja bazohet në ligj, shkencë dhe standardet europiane, ndërsa vlerësoi se protestat janë nxitur nga aktorë të jashtëm, përtej Iranit. Megjithatë, Bloomberg vëren se debati publik rreth këtyre projekteve ka ngritur shqetësime mbi transparencën e procedurave për investimet private.