Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar një mesazh në rrjetet sociale lidhur me zhvillimet e fundit në protestën qytetare në kryeqytet. Fokus i reagimit të tij ishte shfaqja e një arkivoli, të cilin protestuesit e mbanin gjatë parakalimit në bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Duke bërë një paralelizëm historik, Rama solli në vëmendje ngjarjet e 14 shtatorit 1998, pas ceremonisë mortore të Azem Hajdarit, kur arkivoli u përdor në një përplasje të dhunshme përballë institucioneve qendrore. Sipas kryeministrit, simbolika e përdorur në protestën e fundit është një përpjekje e orkestruar për të rikthyer vendin në "kënetën politike" të së shkuarës dhe për të penguar rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Kreu i qeverisë theksoi se protesta e qytetarëve, të cilët ai i etiketoi si "flamingo", lindi nga shqetësime reale, por pretendoi se ajo është infiltruar nga aktorë politikë, "ujq të politikës" dhe elementë nga Prishtina dhe Tetova. Rama akuzoi këto grupe për synimin e shënjestrimit të institucioneve demokratike dhe përdorimin e dhunës kundër të zgjedhurve të popullit.
Në mesazhin e tij, Rama saktësoi se nuk i konsideron qytetarët pjesëmarrës si "gabim", duke vlerësuar kauzën e tyre fillestare, por u bëri thirrje atyre të mos lejojnë që protesta të shndërrohet në një instrument politik. Ai kërkoi që qytetarët të ruajnë kujtesën historike, duke paralajmëruar se "kush harron nga vjen, nuk di më se ku po shkon".
Përditësime
Kryeministri Edi Rama reagoi ndaj protestës duke e cilësuar pjesëmarrjen me terma si 'sallahanë', 'ujqit e Rrugës së Shpresës' dhe 'çakenjtë e diasporës'. Përmes një video-mesazhi, ai bëri një paralelizëm historik, duke iu drejtuar veçanërisht protestuesve që, sipas tij, ishin fëmijë ose në fazë embrionale 20 vite më parë, duke e lidhur këtë me përdorimin e arkivolit simbolik në protestë.