Kryeministri Edi Rama vizitoi të dielën, më 1 mars 2026, Vilën 31 në Tiranë, pas sulmit me bomba molotov dhe fishekzjarre gjatë protestës së Partisë Demokratike mbrëmjen e së shtunës.
Vila sot shërben si rezidencë artistike nën fondacionin Art Explora, që strehon të rinj të talentuar nga Shqipëria, Kosova dhe vende të tjera. Në momentin e sulmit ndodheshin 7 artistë dhe 3 persona të stafit, të cilëve iu rrezikua jeta, por dolën pa lëndime falë ndihmës së policisë.
Rama shkroi në rrjetin X se i gjeti artistët të traumatizuar. Ai e cilësoi sulmin si "një sulm i verbër i një grushti të verbërish të paguar për të frikësuar qytetin dhe njollosur Shqipërinë, nën udhëheqjen e një ligësire kriminale tetëdhjetë e kusur vjeçare, që mban nga pas ca hunj gardhi me status deputeti".
Kreu i qeverisë akuzoi gjykatësit se lirojnë "zjarrvënësit e rrezikshëm" sa herë arrestohen nga policia, duke i quajtur bashkëpërgjegjës për "këto vandalizma të pandodhura askund në Europë". Ai shtoi: "Turp për çdo gjykatës që rinxjerr në rrugë këta keqbërës të Shqipërisë dhe turp për qeverisjen e gjyqësorit që rri e vështron sikur Shqipëria nuk është edhe atdheu i saj".
Postimi i Ramës në X:
"Sapo dola nga rezidenca e artistëve në ish-shtëpinë e diktatorit, ku prej kohësh tanimë fondacioni prestigjoz Art Explora mikpret të rinj të talentuar nga Shqipëria, Kosova e mbarë bota, të cilët i gjeta të traumatizuar nga çmenduria e barbarisë së mbrëmshme. Një sulm i verbër i një grushti të verbërish të paguar për të frikësuar qytetin dhe njollosur Shqipërinë, nën udhëheqjen e një ligësire kriminale tetëdhjetë e kusur vjeçare, që mban nga pas ca hunj gardhi me status deputeti, e që vjen vërdallë si i marri i lagjes nëpër Tiranë, ndërkohë që s’ia var më thuajse askush! Gjykatësit që i lirojnë këta zjarrvënës të rrezikshëm, sa herë arrestohen nga policia janë bashkëpërgjegjës për këto vandalizma të pandodhura askund në Europë me bekimin e nën hyqmin e një partie parlamentare, në selinë e të cilës nuk flitet për ide e programe, po bëhen vetëm plane dhune dhe bomba artizanale! Turp për çdo gjykatës që rinxjerr në rrugë këta keqbërës të Shqipërisë dhe turp për qeverisjen e gjyqësorit që rri e vështron sikur Shqipëria nuk është edhe atdheu i saj!"
Policia ka arrestuar 4 persona në lidhje me ngjarjen.
Përditësime
Kryeministri Edi Rama bisedoi me drejtoren ekzekutive të Art Explora, Bisej Kapo, e pranishme gjatë sulmit bashkë me artistët. Rama deklaroi se sulmi "mund të kishte sjellë edhe tragjedi", kërkoi falje artistëve dhe e quajti "turp i madh" dhe "dëm i madh" për fytyrën e Shqipërisë së re, duke theksuar ndikimin në turizëm, ekonomitë e vogla dhe rritjen e fëmijëve.
Kryeministri Edi Rama e përmendi Sali Berishën si dirigjent të akteve të dhunës. Ai akuzoi simpatizantët e tij për manipulim të opinionit dhe dëm në turizëm, ekonomi dhe fëmijë. Rama mohoi se padia ishte motiv, duke e cilësuar "marrëzi, ligësi dhe urrejtje".
Kryeministri Edi Rama akuzoi gjykatësit se paguhen "si frëngu pulën nga taksat e shqiptarëve".
- Artistët nuk mund të flasin para publikut për shkak të traumatizmit.
- Rama e cilësoi motivin e sulmit si: "marrëzia, ligësia, verbëria, kompleks gjërash dhe urrejtja; turp i pashoq që nxin Shqipërinë".