Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, u bëri thirrje shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc të merrnin pjesë masivisht në votimet e 25 tetorit dhe të siguronin përfaqësim sa më të fuqishëm. Në një postim në Facebook, ai tha se vota është e rëndësishme për të garantuar që zëri i shqiptarëve të dëgjohet në institucionet e Serbisë.
“Shqiptarë të Luginës, votoni sot! Mos e humbni zërin tuaj, përfaqësimin tuaj”, shkroi Ramadani. Ai u bëri thirrje qytetarëve të votonin masivisht dhe me besim, duke theksuar rëndësinë e bashkimit në përfaqësimin politik të shqiptarëve. “Masivisht dhe me besim për t’u dëgjuar zëri juaj!”, tha ai.
Ramadani kritikoi proceset zgjedhore dhe qeverisjen në Serbi. “Në Serbi zgjedhjet nuk kanë qenë asnjëherë demokratike, rrjedhimisht as qeverisja”, shkroi deputeti i AAK-së.
Ai theksoi nevojën për bashkim në përfaqësimin politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. “Përfaqësimi shqiptar të jetë me bashkim dhe zëri juaj të jetë aty më i fuqishëm!”, përfundoi Ramadani.