Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka zhvilluar një takim të rastësishëm me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Lladrovci përmes një shkrimi në rrjetet sociale, ku ka ndarë detaje mbi natyrën e këtij komunikimi.
Sipas Lladrovcit, biseda me kryediplomatin kosovar nuk ka përfshirë diskutime lidhur me politikën ose pozicionet zyrtare, por është fokusuar në mënyrat për përmirësimin e gjendjes së përgjithshme në Republikën e Kosovës. Ai theksoi domosdoshmërinë e një ritmi më të shpejtë të zhvillimit, duke pohuar se vendnumërimi nuk është në interes të shtetit.
“Koha po ecën, vendnumërimi nuk i shkon për shtati Republikës tonë. Ecja duhet të shndërrohet në vrap, për të arritur nivelin që rinia jonë ta gjejë lumturinë këtu. Takim i rastësishëm dhe bisedë e këndshme me Glaukun. Jo, nuk kemi biseduar për politikë as për poste, kemi biseduar si bëhet Kosova më mirë”, ka shkruar Lladrovci.
Ai gjithashtu shtoi se me Glauk Konjufcën ka mundur të zgjidhet e panjohura moti, megjithatë, sipas tij, nuk është vonë për ata që kanë vullnet për t'u angazhuar dhe për ta rreshtuar veten pas Kosovës. Ky takim ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik për shkak të mesazheve mbi bashkëpunimin ndërpartiak për çështje me interes kombëtar.