Instituti i Ndërtimit ka dorëzuar raportin paraprak për pallatin e dëmtuar nga shpërthimi dhe zjarri në Elbasan. Raporti paralajmëron rrezik të madh shembjeje të pjesëve të ndërtesës dhe rekomandon ndalimin e përdorimit të saj dhe kufizimin e hyrjes, deri në përfundimin e akt-ekspertizës së thelluar dhe përcaktimin e nivelit të sigurisë konstruktive.
Inxhinierët konstatojnë dëmtime të konsiderueshme në elementet konstruktive dhe jokonstruktive, të shkaktuara nga shpërthimi dhe zjarri. Soleta e katit të 5-të, mbi zonën ku ndodhi shpërthimi, rrezikon të shembet nga momenti në moment. Sipas ekspertëve, gjendja paraqet rrezik për banorët dhe për personat që mund të qëndrojnë brenda ose pranë pallatit.
Instituti rekomandon vendosjen e një perimetri sigurie prej 20–30 metrash dhe marrjen e masave për të shmangur rënien e elementeve të dëmtuara. Në shkresën e tij thuhet se siguria e banorëve dhe e personave përreth duhet të garantohet në bashkëpunim me autoritetet përgjegjëse.
Për hetimet e mëtejshme, mbetjet e dëmtuara nga zjarri duhet të hiqen në mënyrë të kontrolluar, por vetëm pasi të vlerësohet siguria e ndërhyrjes dhe të merren masat mbrojtëse. Instituti rekomandon që akt-ekspertiza e thelluar të kryhet pasi të krijohen kushte të sigurta për akses në objekt.
Akt-ekspertiza do të përfshijë hetime konstruktive, testime laboratorike të materialeve dhe analiza për vlerësimin e aftësisë mbajtëse dhe qëndrueshmërisë së objektit. Deri në përfundimin e saj, rekomandimi mbetet që godina të mos përdoret dhe hyrja në të të kufizohet.
Përditësime
Instituti i Ndërtimit rekomandon heqjen e kontrolluar të mbetjeve të zjarrit dhe kryerjen e akt-ekspertizës pasi të sigurohet aksesi në objekt.