Klubi spanjoll Rayo Vallecano gjendet përpara një situate të vështirë, pasi Komuniteti i Madridit ka vendosur të marrë nën kontroll të drejtpërdrejtë stadiumin Vallecas, duke i hequr klubit të drejtën e shfrytëzimit. Ky vendim vjen pas një auditimi që ka nxjerrë në pah mangësi të rënda në sistemet e sigurisë nga zjarri, instalimet elektrike, mirëmbajtjen e objektit dhe dokumentacionin teknik.
Sipas raportimeve, gjendja e stadiumit është vlerësuar si e papërshtatshme për garantimin e sigurisë së spektatorëve. Autoritetet kanë kërkuar ndërhyrje urgjente për rikonstruksion, proces i cili vlerësohet të zgjasë nga dy deri në gjashtë muaj. Kjo masë ndikon drejtpërdrejt në pjesëmarrjen e skuadrës në kampionat, duke qenë se ndeshja e parë për sezonin e ri të La Ligës kundër Alavés është caktuar për datën 20 gusht.
Klubi madrilen, ku aktivizohet mbrojtësi i kombëtares shqiptare Ivan Balliu, duhet të gjejë një stadium alternativ brenda një afati shumë të shkurtër. Drejtuesit e Rayo Vallecanos po shqyrtojnë mundësi për të luajtur në stadiume të tjera në kryeqytetin spanjoll ose në zonat përreth, me qëllim që të mbajnë ekipin sa më pranë tifozërisë së tyre. Klubi ka një afat prej dhjetë ditësh për të paraqitur një ankesë lidhur me vendimin e autoriteteve.
Situata vjen pas një sezoni historik për klubin, i cili më 27 maj luajti në finalen e parë evropiane, ku u mund me rezultatin 0-1 nga Crystal Palace në ndeshjen vendimtare të Ligës së Konferencës. Tashmë, prioriteti i menjëhershëm i Rayo Vallecanos, në koordinim me Federatën Spanjolle të Futbollit dhe La Ligën, është sigurimi i një terreni për zhvillimin e takimeve si pritës.