Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe njoftoi se brenda Zonës së Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit kanë rifilluar punimet në rrugën e transitit ndërkombëtar Deçan-Plavë. Sipas Dioqezës, punimet janë zhvilluar pa njoftim paraprak dhe pa u prezantuar dokumentacioni përkatës mbi qëllimin apo bazën ligjore të ndërhyrjes.
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, sqaroi se aktiviteti dyditor ka pasur për qëllim mirëmbajtjen e rrugës, duke përfshirë mbushjen e gropave, pastrimin e barit, shkurreve dhe largimin e pluhurit. Ramosaj theksoi se punimet kanë përfunduar dhe se aktivitete të ngjashme janë kryer edhe më parë, në bazë të marrëveshjes me igumenin e Manastirit, Sava Janjiq. Ai kërkoi mirëkuptim dhe shmangie nga vlerësimet që, sipas tij, nuk e pasqyrojnë gjendjen reale.
Çështja ka nxitur reagime nga Lista Serbe dhe Zyra për Kosovën pranë Qeverisë së Serbisë. Këto subjekte kanë vlerësuar se veprimet cenojnë rendin juridik dhe rrezikojnë trashëgiminë kulturore të mbrojtur nga Ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura i vitit 2008. Ata i kanë bërë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe Këshillit për Zbatim dhe Monitorim – në të cilin bëjnë pjesë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, Kishës Ortodokse Serbe, Bashkimit Evropian dhe OSBE-së – që të ndërhyjnë për ndalimin e aktiviteteve.
Në vitin 2020, përmes ndërmjetësimit të Këshillit për Zbatim dhe Monitorim dhe diskutimeve të udhëhequra nga ish-kryeministri Avdullah Hoti, ishte arritur pajtimi për ndërtimin e një traseje anashkaluese për të mos rrezikuar zonën përreth Manastirit. Dioqeza ka kërkuar nga Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente që të hetojnë se kush ka urdhëruar punimet dhe të sigurojnë respektimin e plotë të regjimit ligjor të Zonës së Veçantë të Mbrojtur.