Pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kanë reaguar zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës. Deputeti Mërgim Lushtaku e ka vlerësuar vendimin si një padrejtësi historike dhe ndërkombëtare, duke kritikuar përbërjen e trupit gjykues të kryesuar nga Charles L. Smith III, me gjyqtarë Christoph Barthe dhe Guénaël Mettraux, ndërsa Fergal Gaynor shërbeu si gjyqtar rezervë. Mërgim Lushtaku ka deklaruar se vendimi është i ndikuar nga interesa që synojnë dëmtimin e historisë së UÇK-së, duke shtuar se nuk mund të pranohet që ky aktgjykim të merret në emër të popullit të Kosovës.
Nga ana tjetër, kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, e ka cilësuar aktgjykimin si të turpshëm dhe absolutisht të papranueshëm. Ai ka theksuar se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e domosdoshme për lirinë e vendit, duke refuzuar kategorikisht çdo përpjekje për të barazuar luftën çlirimtare me krimet e forcave serbe në Kosovë. Sipas tij, historia nuk duhet të rishkruhet përmes padrejtësive dhe e vërteta mbi luftën do të mbetet e pandryshueshme.