Albulena Haxhiu ka reaguar pas Marshit për Liri, i cili u zhvillua gjatë ditës së sotme në Prishtinë. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ajo ka falënderuar organizatorët dhe qytetarët që morën pjesë në këtë tubim, duke theksuar se qëndrimi i shprehur gjatë protestës është i qartë për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Haxhiu ka deklaruar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë për çlirim, e cila pasoi periudha të gjata të shtypjes dhe dhunës së ushtruar nga regjimi ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë. Sipas saj, pjesëmarrja në këtë marsh dëshmoi se qëndrimet mund të shprehen fuqishëm, duke ruajtur njëkohësisht qetësinë dhe dinjitetin.
Haxhiu përfundoi duke shtuar se ky manifestim është një nderim për sakrificën e atyre që luftuan dhe për themelet e Republikës.