Richard James Lowden Record, ekonomist kryesor i Bankës Botërore për vendet e Ballkanit Perëndimor, tha në Samitin e Ballkanit se Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë potencial të konsiderueshëm për investime. Samiti po zhvillohet me fokus te investimet private dhe mundësitë për zhvillimin e projekteve të infrastrukturës publike me vlerë 30 miliardë euro në këto tri vende.
Sipas Record, në Ballkanin Perëndimor po vërehet interes i ripërtërirë i investitorëve dhe përkushtim më i madh ndaj integrimit evropian. Ai tha se rajoni ofron mundësi të konsiderueshme ende të pashfrytëzuara, por po përballet me një mjedis global më sfidues.
Ndër sfidat e përmendura prej tij janë rritja më e ngadaltë ekonomike në Evropë, pasiguria gjeopolitike, riorganizimi i zinxhirëve të furnizimit, zhvillimet teknologjike dhe përhapja e shpejtë e inteligjencës artificiale. Record iu referua ngadalësimit ekonomik në Evropë si në ekonomitë e zhvilluara, ashtu edhe në ato në zhvillim.
Sipas tij, tri vendet kanë përparësi të përbashkëta që mund të mbështesin zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve:
- Popullsi të reja dhe demografi të favorshme, në një kohë kur ekonomitë e zhvilluara të Evropës po përballen gjithnjë e më shumë me plakjen e popullsisë.
- Themele të forta makroekonomike, inflacion dhe norma interesi të ulëta, si dhe stabilitet ekonomik.
- Lidhje të forta me diasporën, që mundësojnë qasje në rrjete investitorësh, burime financimi, talente dhe ide të reja.
- Pozitë gjeografike pranë Evropës dhe përkushtim të përbashkët ndaj integrimit evropian.
Në ditën e parë të samitit janë parashikuar katër panele, ku do të marrin pjesë edhe ministra të Qeverisë së Kosovës.