RENEA dhe FNSH kanë zhvilluar një aksion policor të befasishëm mëngjesin e sotëm në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë. Operacioni ka filluar prej orëve të para dhe synon kontrolle të gjera sigurie.
Në aksion janë angazhuar rreth 40 efektivë dhe rreth 10 mjete, përfshirë autoblinda. Forcat kanë rrethuar një pallat dhe kanë bllokuar Unazën e Vlorës, rrugën paralele me lungomaren, për të lehtësuar veprimet në terren.
Monitorimi i zonës është kryer edhe nga ajri me anë të një droni, i cili ka ndihmuar në koordinimin e operacionit. Sipas burimeve, aksioni zhvillohet me urdhër të SPAK-ut dhe synon goditjen e një grupe të rrezikshëm kriminal, si dhe kontrollin e banesave të personave me precedentë penalë.
Deri tani nuk ka njoftim zyrtar për arrestime apo persona të shoqëruar. Policia e Shtetit pritet të japë detaje shtesë në vijim.
Përditësime
SPAK ka firmosur 7 urdhëra-arrestimi, midis tyre për Flodian Plakun, të arrestuar më herët për vrasjen e Gentjan Bejtajt. RENEA kërkon Ervis Matodoshajin. Eksponentët kriminalë ishin nën vëzhgim prej kohësh. Në operacionin në Ujin e Ftohtë të Vlorës u angazhuan Policia e Vlorës dhe Byroja Kombëtare e Hetimit.