Qeveria e Republikës Çeke ka paraqitur një projektligj që parasheh ndalimin e telefonave celularë në institucionet shkollore, duke nisur nga shtatori i vitit 2027. Kryeministri Andrej Babis bëri të ditur se ky ndalim do të jetë në fuqi gjatë orëve të mësimit, por edhe gjatë pushimeve.
Sipas projektligjit, shkollat nuk do të kenë të drejtë të lejojnë përdorimin e këtyre pajisjeve, përveç në raste specifike si arsye shëndetësore ose kur përdorimi është i domosdoshëm për qëllime edukative. Ky veprim i qeverisë çeke vjen si pjesë e një trendi ndërkombëtar për të kufizuar kohën e fëmijëve para ekranit dhe për të mbrojtur përqendrimin e tyre.
Në lidhje me këtë nismë, kryeministri Babis theksoi se ekzekutivi po vlerëson gjithashtu mundësinë e kufizimit të qasjes në rrjetet sociale për të miturit, duke marrë si referencë praktikat e Francës dhe vendeve të tjera që kanë mbajtur qëndrime më të ashpra për shkak të ndikimit negativ te fëmijët. Veprimi çek pason masa të ngjashme të ndërmarra kohët e fundit nga vende si Polonia, Holanda, Koreja e Jugut dhe Italia.