Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) njofton se pasditen e kësaj të mërkure dhe gjatë ditës së enjte priten reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarqet Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër.
Në qarqet Kukës, Fier, Berat dhe Korçë parashihen reshje të dobëta deri lokalisht mesatare, të shoqëruara me shtrëngata. Reshje të dobëta priten edhe në qarqet e tjera gjatë 24 orëve në vijim.
Temperaturat do të ulen ditën e enjte me gati 3 gradë Celsius. Vlerat minimale parashihen në 1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nuk do të kalojnë 15 gradë Celsius.
Në lartësitë mbi 1.000 metra nga niveli i detit, reshjet do të bien në formë dëbore, jo vetëm në Veri, por edhe në Lindje dhe Juglindje të vendit.
Era do të fryjë mesatare deri e fortë në Jug dhe përgjatë bregdetit. Lundrimi i anijeve të vogla dhe atyre të peshkimit vijon të jetë i pezulluar deri të enjten, kur pritet dobësimi i erës në det të hapur.