Java nis me vranësira dhe reshje shiu në Shqipëri, ndërsa temperaturat gjatë ditës së sotme pritet të arrijnë deri në 23 gradë Celsius, sipas meteorologes Tanja Porja. Reshjet do të jenë më të pranishme në jug dhe jugperëndim, ndërsa pasditen dhe natën pritet të shtrihen edhe në pjesën tjetër të territorit.
Në mëngjes, temperaturat parashikohen rreth 3 gradë në zonat e thella malore dhe 10–12 gradë përgjatë vijës bregdetare. Sipas Porjës, qarkullimi i masave ajrore nga jugu dhe juglindja do të sjellë rritje të temperaturave gjatë ditës.
Gjatë pjesës së parë të ditës, reshjet pritet të përqendrohen kryesisht në jug, të jenë më të pakta në qendër dhe të mungojnë në veri. Pasdite parashikohen rrebeshe të shkurtra në jug; në mbrëmje dhe gjatë natës, reshjet pritet të përhapen gradualisht në të gjithë territorin. Sipas meteorologes, ato do të vijojnë edhe ditën e nesërme.
Nga e marta pritet ndryshim i situatës atmosferike, me më shumë kthjellime dhe rënie të ndjeshme të temperaturave. Në mesjavë dhe ditët në vijim parashikohen disa ditë me diell dhe mot më të ftohtë. Në zonat e thella malore, termometri pritet të zbresë deri në zero dhe në vlera lehtësisht nën zero gradë.
Porja i bëri këto parashikime në emisionin “Dita Jonë” në A2 CNN.