Shqipëria është përfshirë nga një rritje e menjëhershme e temperaturave, duke shënuar nisjen e një periudhe 10-ditore me mot të nxehtë dhe thatësirë. Sipas meteorologes Tanja Porja, në një njoftim për A2CNN, vlerat termike do të vijojnë të rriten gradualisht gjatë ditëve në vijim.
Sot, vendi po përjeton një rritje me të paktën 4 gradë Celsius krahasuar me një ditë më parë, kur temperatura maksimale ishte 33 gradë Celsius. Për ditën e sotme, parashikohet që termometri të arrijë vlerën e 38 gradë Celsius. Moti do të karakterizohet nga kthjellime dhe diell, ndërsa vranësirat do të jenë të pranishme vetëm gjatë orëve të pasdites, kryesisht në zonat veriore dhe ato lindore. Era pritet të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi mesatare.
Meteorologia theksoi se kjo tendencë rritëse do të vazhdojë, duke bërë që në mesjavë temperaturat të arrijnë kulmin e tyre në 40 gradë Celsius. Për periudhën 10-ditore në vijim, parashikimet tregojnë mungesë të reshjeve në të gjithë territorin, duke konfirmuar një periudhë të zgjatur me mot të nxehtë dhe vlera të larta termike.