Hetimet e autoriteteve shqiptare përqendrohen te biznesmeni Artur Shehu, i cili jeton në Miami dhe ndaj të cilit SPAK ka lëshuar një urdhër-arresti. Ai akuzohet për pastrim të parave të përfituara nga trafiku i drogës dhe falsifikim të dokumenteve të pronësisë. Sipas prokurorisë, këto dokumente janë përdorur për të siguruar pasuri të paluajtshme, përfshirë zonën bregdetare ku planifikohet ndërtimi i një resorti shumëmiliardësh.
Avokati i biznesmenit, Kujtim Cakrani, i ka hedhur poshtë akuzat, duke deklaruar se ato janë të pavërteta. Ai pohoi se klienti i tij nuk është i përfshirë në trafik droge dhe as në falsifikim të akteve të pronësisë. Nga ana e tij, Departamenti i Drejtësisë i SHBA nuk ka dhënë detaje në lidhje me ndonjë kërkesë të mundshme nga Shqipëria për ndalimin e Shehut.
Dokumentet e shqyrtuara nga Reuters theksojnë se dyshimet e prokurorisë bazohen në prova për përdorimin e dokumenteve të falsifikuara gjatë procesit të pronësisë. Megjithatë, dosja nuk përmban asnjë akuzë ose pretendim për shkelje ndaj Jared Kushner, kompanive Sazan Real Estate Development, Albania Land Development, apo investitorëve të tjerë të projektit. Përfaqësuesit e projektit kanë konfirmuar se besojnë që blerja është realizuar në përputhje me ligjin dhe kanë shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me autoritetet në çdo proces ligjor.
Përditësime
Kryeministri Edi Rama konfirmoi vazhdimin e projektit në Zvërnec, pavarësisht kontesteve ligjore dhe shqetësimeve mjedisore. Raportimeve të mëparshme nga Reuters për dyshimet mbi falsifikimin e pronave të lidhura me Artur Shehun, i është bashkuar edhe media ndërkombëtare The Daily Beast. Ndërkohë, ambientalistët dhe banorët vazhdojnë kundërshtimet për shkak të ndikimit të pakthyeshëm në ekosistemin e zonës.
Ekonomisti amerikan Steve Hanke ka konfirmuar se hetimet e SPAK ndaj Artur Shehut lidhen me procesin e pronësisë në Zvërnec. Toka në fjalë është pjesë e projektit për resortin luksoz prej 1.6 miliardë dollarësh, të iniciuar nga Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump. Raportimet e agjencisë Reuters theksojnë dyshimet për falsifikim dokumentesh në këtë zonë.
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka bërë të ditur zhvillime të reja në hetimin për përvetësimin e pronave në Zvërnec, çështje e cila është vënë në fokus edhe nga agjencia Reuters. Sipas hetimeve:
- SPAK dyshon se kapitalet e investuara në këtë projekt burojnë nga trafiku i kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës.
- Dosja hetimore përmend Ivanka Trump si pjesë të grupit të investitorëve, ndërsa këta të fundit, përmes përfaqësuesve ligjorë, deklarojnë se nuk kishin dijeni për problemet gjyqësore të Artur Shehut në momentin e blerjes së tokës.