Në seancën e mbajtur më 1 shtator 2026, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Endrit Nika u deklarua i pafajshëm për vrasjen e shtetases argjentinase, e cila ishte e dashura e tij. Aktakuza e prokurorit Armend Hamiti u lexua përpara trupit gjykues, të kryesuar nga Gazmend Bahtiri dhe anëtarët Alltën Murseli e Gëzim Ademi.
Sipas dosjes së prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 1 gusht 2023 në një hotel në Fushë-Kosovë. I pandehuri akuzohet se, pas një mosmarrëveshjeje, e ka goditur të ndjerën M.K-U. fillimisht në parkingun e hotelit dhe më pas në dhomën ku po qëndronin. Sipas organit të akuzës, i pandehuri e ka shtyrë të ndjerën drejt dritares në katin e gjashtë, duke hequr kornizën e dritares dhe duke e hedhur atë nga lartësia. Viktima ndërroi jetë në QKUK si pasojë e lëndimeve të marra.
Në seancën e rigjykimit ishin të pranishëm prokurori Armend Hamiti, i akuzuari Endrit Nika me mbrojtësin e tij, avokatin Tomë Gashi, si dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Betim Shala, i cili mori pjesë përmes video-lidhjes. Seanca ka vazhduar me paraqitjen e fjalëve hyrëse nga palët në procedurë. Kjo çështje është rikthyer për shqyrtim pasi Gjykata e Apelit miratoi ankesën e mbrojtjes ndaj vendimit të shkallës së parë të 19 shkurtit 2026, i cili e kishte dënuar të akuzuarin me 18 vjet burgim.
Përditësime
Gjykatësi Gazmend Bahtiri ndërpreu seancën e rigjykimit për shkak të kërkesës së të akuzuarit Endrit Nika për përkthyes të dialektit zviceran të gjuhës gjermane. Trupi Gjykues njoftoi se aktualisht nuk posedon përkthyes për këtë dialekt specifik. Avokati Betim Shala, përfaqësues i palës së dëmtuar, paralajmëroi dorëzimin e një kërkese pasurore-juridike në vijim të procesit.
Prokurori Armend Hamiti paraqiti fjalën hyrëse duke u zotuar se do të vërtetojë fajësinë e të akuzuarit Endrit Nika. Mbrojtja, përmes avokatit Tomë Gashi, kërkoi sigurimin e një përkthyesi për dialektin zviceran të gjermanishtes, pasi i akuzuari ka vështirësi në kuptimin e gjuhës standarde. Trupi gjykues njoftoi se ka iniciuar procedurat pranë Këshillit Gjyqësor për plotësimin e kësaj kërkese teknike.