Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka reaguar ndaj vizitës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd dhe takimit të tij me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bosch e cilësoi presidentin serb si një "mik jodemokratik" të Zelenskyt dhe ngriti pikëpyetje rreth qëllimeve të këtij takimi, duke sugjeruar ironikisht se presidenti ukrainas mund të jetë duke u këshilluar për eliminimin e kundërshtarëve politikë.
Bosch rikujtoi se Vuçiq e falënderoi Zelenskyn për qëndrimin e Ukrainës lidhur me mosnjohjen e Kosovës. Në këtë kontekst, ish-diplomati bëri thirrje që Bashkimi Evropian të ndjekë një qasje të rreptë, duke e bërë njohjen e Kosovës kusht për anëtarësimin e Ukrainës në bllokun evropian, njësoj siç kërkohet për Serbinë.
Për më tepër, Bosch komentoi raportimet mediatike për mundësinë e një marrëveshjeje për prodhimin e përbashkët të dronëve mes Serbisë dhe Ukrainës. Sipas ish-ambasadorit, ky zhvillim përbën një kërcënim për Kosovën dhe për rajonin e Ballkanit në përgjithësi. Në përmbyllje të reagimit të tij, Bosch i kërkoi Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS) që t'i kërkojë shpjegime të detajuara presidentit Zelensky lidhur me hapat dhe qëllimet e tij pas këtij takimi.