Një tragjedi ajrore ka ndodhur në zonën e largët të Ulu Baram në Sarawak, ku një helikopter mjekësor u rrëzua dhe mori flakë pasditen e së martës pranë pistës së aeroportit Long Lellang. Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën të 5 personat që ndodheshin në bordin e helikopterit të tipit BO-105, i cili operohej nga shërbimi Flying Doctor Service.
Sipas Galong Luang, kryetar i menaxhimit të fatkeqësive në qytetin Miri, viktimat janë identifikuar si piloti dhe katër punonjës të sistemit shëndetësor: një mjek, një asistent mjekësor dhe dy infermierë. Konfirmimi për viktimat u bë nga Departamenti i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit dhe Ministria e Shëndetësisë.
Autoritetet malajziane kanë filluar hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të rrëzimit të mjetit fluturues. Ndër hipotezat që po shqyrtohen janë kushtet atmosferike, pasi zona e Sarawakut është prekur kohët e fundit nga mjegulla e dendur e shkaktuar nga zjarret pyjore në Indonezi.
Kryeministri Anwar Ibrahim u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin spekulimet derisa të përfundojë hetimi zyrtar. Qeveria ka garantuar mbështetje financiare për familjet e viktimave, duke përfshirë mbulimin e shpenzimeve të shkollimit për fëmijët e tyre.