Në fund të vitit 2025, numri i lejeve të qëndrimit për qytetarë të huaj në Shqipëri arriti në mbi 27.500, krahasuar me rreth 22.000 në vitin 2024. Shumica e tyre vijnë nga Kosova dhe Italia.
Rritja evidentohet edhe nga ekspertët e pasurive të paluajtshme, për shkak të kërkesës së tyre për apartamente me qira. Dorjan Sanxhaku, ekspert në këtë fushë, thekson se "jo vetëm europianë, por edhe amerikanë ka pasur shumë vitin e fundit, që kanë zgjedhur të jetojnë këtu".
Numri i shtetasve nga SHBA arriti në 1.128, me rritje 164% nga 427 në 2024. Sipas ekspertëve, amerikanët përqendrohen kryesisht në Tiranë, ndërsa italianët zgjedhin qytetet bregdetare si Vlorë dhe Sarandë. Gjithashtu, ka prani të çekëve dhe sllovakëve në këto zona.
Në rritje është edhe numri i shtetasve nga vendet e treta, me rreth 8.000 leje qëndrimi. Midis tyre kryesojnë indianët me rreth 2.500, të ndjekur nga filipinasit dhe egjiptianët. Kjo rritje lidhet me kërkesën e tregut të punës për krah pune, veçanërisht në sektorin e shërbimeve.