Ministria e Punëve të Brendshme ka organizuar një takim në rajonin e Prishtinës me qëllim zbatimin e fushatës "Festo me zemër, jo me armë" dhe intensifikimin e aktiviteteve ndërgjegjësuese. Takimi u kryesua nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme dhe Koordinatori Kombëtar i Strategjisë për Armë të Vogla dhe të Lehta (AVLE), Enver Dugolli, i cili kërkoi angazhimin e të gjithë akterëve institucionalë dhe shoqërisë civile për rritjen e sigurisë publike.
Në raportimin e publikuar gjatë takimit, bazuar në të dhënat zyrtare të Policisë së Kosovës për muajt qershor dhe korrik të vitit 2026, u konstatua se fushata ndërgjegjësuese ka nxitur një rritje të numrit të rasteve të raportuara nga vetë qytetarët. Shifrat përkatëse tregojnë:
• Rritje prej 83.3% të raportimeve për përdorim të armëve gjatë ahengjeve dhe festave familjare.
• Rritje prej 41.2% të personave të ndaluar nga Policia e Kosovës.
• Rritje prej 56.7% të numrit të armëve të konfiskuara.
Zëvendësministri Dugolli bëri thirrje për një fushatë intensive në muajt në vijim dhe gjatë vitit të ardhshëm, duke iu drejtuar veçanërisht qytetarëve dhe bashkatdhetarëve që kalojnë pushimet në Kosovë. Fokus i veçantë i aktiviteteve parandaluese do të jetë ambienti shkollor, pasi përfaqëson një kategori të ndjeshme të shoqërisë. Në takim morën pjesë gjithashtu përfaqësues nga UNDP, Policia e Kosovës, si dhe anëtarë të forumeve të sigurisë në qytetet e rajonit të Prishtinës.