Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u takua më 30 tetor me përfaqësuese të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK). Në takim u diskutua se çfarë mund të bëjë Kuvendi për të parandaluar dhunën dhe vrasjet e grave, si dhe për agjendën gjinore parlamentare.
Sipas njoftimit të RrGK-së, në delegacion ishin drejtoresha ekzekutive Nicole Farnsworth dhe anëtaret e bordit Nermin Mahmuti, Maria Berishaj dhe Antigona Baxhaku Idrizi. Rrjeti paraqiti rekomandime që përfshijnë ndryshimin e Kodit Penal për përfshirjen e femicidit dhe dhunës së kryer përmes teknologjisë, si dhe fuqizimin e mekanizmave për mbrojtjen dhe trajtimin e rasteve të dhunës.
Rekomandimet përfshijnë edhe sigurimin e buxhetit të mjaftueshëm për punonjësit socialë dhe shërbimet e specializuara për mbrojtjen dhe adresimin e dhunës me bazë gjinore. RrGK theksoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes për organizatat e të drejtave të grave dhe përfshirjes së tyre në proceset vendimmarrëse.
Organizata njoftoi se u ka dërguar 120 zarfe personalisht deputetëve të Kuvendit, si dhe letra kryeministrit dhe ministrave përkatës. Dokumentet përmbajnë rekomandime për parandalimin dhe adresimin e dhunës me bazë gjinore, të mbështetura në hulumtimet, ekspertizën dhe punën shumëvjeçare të RrGK-së. Rrjeti tha se do të vazhdojë bashkëpunimin me Kuvendin dhe institucionet e Kosovës për të çuar përpara rekomandimet dhe për të siguruar zbatimin e reformave për mbrojtjen e jetës dhe të drejtave të grave e vajzave.
Në komunikatën e Kuvendit, takimi u përshkrua si diskutim për përparësitë e agjendës gjinore parlamentare, hartimin e ligjeve nga perspektiva gjinore dhe fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit në zbatimin e tyre. Haxhiu shprehu vullnetin dhe përkushtimin për ta çuar më tej këtë agjendë gjatë legjislaturës, në bashkëpunim me organizatat e grave. Ajo vlerësoi punën shumëvjeçare të RrGK-së dhe të 106 organizatave anëtare, si dhe këmbënguljen e tyre që të drejtat e garantuara me ligj të gëzohen në jetën e përditshme.