Rrjeti i Grave të Kosovës mbajti Kuvendin e 23-të Vjetor të Anëtareve, ku u vlerësua roli i grave në avancimin e të drejtave, forcimin e demokracisë dhe promovimin e barazisë në vend.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, foli për kontributin e grave, që nuk kufizohet vetëm në momente historike, por shtrihet në punën e përditshme për mbajtjen në këmbë të familjes, komunitetit dhe shoqërisë. Ajo kujtoi marshin „Bukë për Drenicën“ në pranverën e vitit 1998, kur pa nënën e saj dhe gratë e lagjes duke dalë me bukë në solidaritet me qytetarët e Drenicës.
„E kuptova se dhimbja e tjetrit nuk është e huaj, se kohëve të vështira u bëhet ballë, dhe se kur gratë përfshihen, shoqëria përparon“, tha ajo.
Haxhiu vlerësoi Rrjetin e Grave të Kosovës si shembull të organizimit qytetar, që ka kthyer forcën e grave në ndikim publik, duke qenë zë për barazinë, mbrojtjen nga dhuna dhe pjesëmarrjen në vendimmarrje. Ajo theksoi se institucionet përfitojnë nga bashkëpunimi me shoqërinë civile.
„Ligjet bëhen më të mira kur mbështeten në dije. Politikat bëhen më të drejta kur mbështeten në përvojë“, u shpreh ajo.
Anëtarja e Bordit të rrjetit, Gjylieta Mushkolaj, nënvizoi nevojën për angazhim të vazhdueshëm për barazi dhe drejtësi, duke përmendur përparimet, plagët e pashëruara dhe strategjinë shtetërore për drejtësi tranzicionale. Ajo kërkoi zbatim konkret të saj për një Kosovë të lirë pa diskriminim.
Drejtoresha e NDI-së në Kosovë, Nancy Soderberg, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me rrjetet e grave për forcimin e demokracisë dhe rritjen e përfshirjes.