Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar lidhur me identifikimin e një lokacioni të ri me mbetje mortore në Zubin Potok, nga ana e Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës. Përmes një deklarate, ajo vlerësoi se dyshimet për një varrezë të dytë masive shërbejnë si një rikujtim i rëndë i krimeve të periudhës së luftës dhe dëshmojnë se procesi i vënies së drejtësisë nuk ka përfunduar ende.
Albulena Haxhiu theksoi se shtrirja e sovranitetit dhe e rendit kushtetues në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës ka qenë një parakusht i domosdoshëm për të mundësuar kërkimet për personat e zhdukur me dhunë, identifikimin e varrezave masive dhe kthimin e mbetjeve mortore te familjet e tyre. Sipas saj, çdo varrezë e zbuluar përbën një hap të rëndësishëm drejt zbardhjes së së vërtetës.
"Plagët e luftës mbeten të hapura derisa të gjendet personi i fundit i zhdukur dhe përgjegjësit për këto krime të dalin para drejtësisë," deklaroi ajo. Në këtë kontekst, ushtruesja e detyrës së presidentes shprehu mirënjohje dhe mbështetje për ekipet profesionale dhe ekspertët mjekoligjorë që janë angazhuar në këto hetime. Ajo ritheksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të vazhduar punën deri në zbardhjen e plotë të fatit të të gjithë të zhdukurve, duke shprehur solidaritetin me familjet e viktimave që prej më shumë se dy dekadash presin informacione për të afërmit e tyre.