Albulena Haxhiu, ushtruesja e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, vizitoi fshatin Dyz të Podujevës për të bërë homazhe në përvjetorin e masakrës së kryer nga forcat serbe ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë.
Ngjarja ndodhi 27 vjet më parë, në mes të muajit prill, kur banorët e Llapit dhe Gollakut, duke kërkuar shpëtim, u përballën me dhunën brutale të forcave okupatore serbe. Haxhiu deklaroi se aty nuk kishte ushtarë, por burra, gra, fëmijë, pleq e njerëz të zakonshëm që dëshironin vetëm të jetonin në paqe dhe me dinjitet. Ata u përballën me një dhunë të organizuar, të planifikuar e çnjerëzore.
Ajo kujtoi se mbi 200 civilë shqiptarë të paarmatosur u masakruan në këtë akt. "Sot jemi këtu për ta përkujtuar këtë ngjarje tragjike. Jemi këtu për të mos harruar kurrë. Kujtimi është detyrim moral, njerëzor dhe kombëtar", u shpreh Haxhiu.
Duke folur për mungesën e drejtësisë, ajo theksoi se e vërteta dihet dhe përgjegjësit duhet të dalin para gjykatave. "Si institucione të Republikës së Kosovës, kemi krijuar bazën ligjore për ndjekjen dhe dënimin e kriminelëve të luftës edhe në mungësë. U bëj thirrje institucioneve të drejtësisë të angazhohen me gjithë kapacitetet për të ngritur aktakuza dhe gjykime. Drejtësia nuk duhet të mungojë", deklaroi ajo.
Në përfundim, Haxhiu vuri në dukje se nderimi më i madh për martirët dhe dëshmorët është puna e përditshme për drejtësi, zhvillim, siguri dhe prosperitet të qytetarëve të Kosovës.