Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka shprehur shqetësim të thellë pas ngjarjes tragjike të ndodhur në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit. Sipas informacioneve të raportuara, një grua dhe vëllai i saj, të moshës rreth 30-vjeçare, dyshohet se kanë humbur jetën, ndërsa xhaxhai i tyre ka mbetur i plagosur. Ngjarja dyshohet se u krye me armë zjarri nga bashkëshorti i gruas.
Përmes një deklarate zyrtare, RrGK ka theksuar se vrasja e një gruaje nga bashkëshorti i saj përbën një akt të rëndë dhune, i cili nuk mund të arsyetohet me asnjë lloj konflikti apo mosmarrëveshjeje të mëhershme. "Asnjë rrethanë nuk e justifikon marrjen e jetës së një gruaje", thuhet në qëndrimin e organizatës, e cila nënvizon se dhuna ndaj grave nuk është një çështje private, por një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut.
RrGK ka bërë thirrje për një hetim të plotë të rrethanave të ngjarjes dhe vënien e menjëhershme të autorit para drejtësisë. Po ashtu, organizata ka theksuar nevojën për një reagim më efektiv nga institucionet përgjegjëse dhe ndërmarrjen e masave konkrete për parandalimin e dhunës me bazë gjinore. Si pjesë e angazhimit të saj, RrGK ka njoftuar se ofron këshillim ligjor falas për viktimat e dhunës, duke inkurajuar shoqërinë dhe institucionet të angazhohen në mënyrë të vazhdueshme për garantimin e sigurisë së grave.