Rete degli Studenti Medi, Rrjeti i Nxënësve të Shkollave të Mesme në Itali, shprehu solidaritet me studentët shqiptarë që protestuan në Tiranë dhe dënoi ndërhyrjen e policisë para Ministrisë së Arsimit. Në një deklaratë publike, organizata tha se kërkesat e të rinjve për arsim të arritshëm, shkolla më të mira dhe një të ardhme me mundësi, jo privilegje, nuk duhet të marrin përgjigje me forcë.
Sipas deklaratës, mobilizimi nxjerr në pah pabarazitë shoqërore, barrën e kostove të arsimit dhe një sistem që, sipas organizatës, shpesh i lë pas brezat e rinj. Rrjeti u bëri thirrje institucioneve të zgjedhin dialogun dhe të marrin përgjegjësi, në vend që t’u përgjigjen protestuesve me shtypje.
“Lufta e tyre është edhe lufta jonë”, thuhet në reagim. Organizata shtoi se sheshet u përkasin atyre që kërkojnë një të tashme më të mirë dhe se asnjë shkop gome nuk mund t’i fshijë idetë.
Rrjeti njoftoi se këtë të shtunë do të marrë pjesë në një grevë kombëtare në Romë. Sipas deklaratës, pjesëmarrësit do të kërkojnë garantimin e së drejtës për arsim, shkolla të sigurta e të arritshme dhe që zëri i të rinjve të dëgjohet.