Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të martën se një samit i mundshëm mes udhëheqësve të Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës do të ishte “një gjë shumë pozitive për botën”, veçanërisht në kuadër të diskutimeve për kontrollin e armëve bërthamore. Rubio foli për këtë mundësi gjatë një prononcimi për gazetarët në Indi.
Ai tha se ekziston mundësia që të tria vendet të zhvillojnë bisedime në nivelin më të lartë dhe se presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur gatishmërinë për një takim të tillë. Rubio tha se udhëheqësit mund të diskutojnë çështje si kontrolli i armëve.
Sipas Rubios, komunikimi mes tri fuqive më të mëdha bërthamore në botë nuk duhet të konsiderohet i pazakontë, por një element i rëndësishëm për sigurinë ndërkombëtare. Ai hodhi poshtë idenë se angazhimi diplomatik me vende me të cilat ka mosmarrëveshje duhet parë si shpërblim apo lëshim. Sipas tij, Trump nuk e konsideron dialogun me shtetet e tjera si koncesion.
“Aftësia për të komunikuar me palën kundërshtare është pika kryesore e diplomacisë dhe negociatave”, tha Rubio.
Ai pranoi se një takim i vetëm nuk do t’i zgjidhte mosmarrëveshjet e gjata mes Uashingtonit, Moskës dhe Pekinit, por nënvizoi rëndësinë e mbajtjes hapur të kanaleve të komunikimit. Rubio tha se bota është më e sigurt kur udhëheqësit e arsenaleve më të fuqishme bërthamore komunikojnë me njëri-tjetrin.
Sa i përket Kinës, Rubio tha se Pekini historikisht i ka shmangur diskutimet për kontrollin e armëve bërthamore deri kur arsenali i tij të arrijë një nivel të krahasueshëm me atë të fuqive të tjera të mëdha. Ai e cilësoi pozitive gatishmërinë e Trump për të provuar hapjen e një dialogu trepalësh, i cili mund të krijojë mundësi për diskutime mbi kontrollin e armëve dhe uljen e rreziqeve bërthamore.