Rumania ngriti të enjten avionë luftarakë pasi një dron rus shkeli hapësirën e saj ajrore kombëtare. Kjo ndodhi gjatë një sulmi rus ndaj infrastrukturës ukrainase pranë kufirit të përbashkët, njoftoi Ministria e Mbrojtjes rumune.
Sipas Reuters, kjo përfaqëson shkeljen e dytë të hapësirës ajrore brenda dy ditësh. Rumania, vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe i NATO-s, ndan një kufi tokësor prej 650 kilometrash me Ukrainën.
Që prej nisjes së sulmeve ruse ndaj porteve ukrainase përgjatë lumit Danub, dronët rusë kanë shkelur në mënyrë të përsëritur hapësirën ajrore rumune. Në disa raste, mbetje të këtyre droneve kanë rënë në territorin rumun, duke rritur shqetësimet për sigurinë në rajon.