Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë të ditur detajet mbi mënyrën sesi është informuar për heqjen e sanksionimit nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një intervistë për emisionin "Off the Record" me gazetarin Andrea Danglli në televizionin A2CNN, Berisha sqaroi se kontakti është realizuar nga përfaqësuesja e diplomacisë amerikane në Tiranë.
Sipas Berishës, e ngarkuara me punë e SHBA-ve, znj. VanHorn, e ka telefonuar atë për ta njoftuar zyrtarisht mbi vendimin e marrë nga Sekretari Rubio. "Zyrtarisht më ka njoftuar me telefon e ngarkuara me punë e SHBA-ve në Tiranë, znj. VanHorn. Më ka thënë se Sekretari Rubio ka vendosur që s’jam në listën e personave të ndaluar. Unë s’kisha sanksion tjetër", deklaroi kreu i selisë blu.
Lidhur me mundësinë e një vizite në SHBA, Berisha vuri në dukje se ka ndërmend të udhëtojë, por nuk ka caktuar ende një datë apo program specifik takimesh. Ai theksoi se nuk ka aplikuar ende për vizë, duke e cilësuar udhëtimin si diçka që do të realizohet në momentin më të përshtatshëm. "Do shkoj patjetër. S’kam aplikuar për vizë se do shkoj në momentin më të përshtatshëm. S’është ky momenti që do shkoj. S’kam programuar asnjë takim. Do programoj brenda mundësive takimet", tha ai.
Kryedemokrati shtoi se ka rreth 14-15 vite që nuk ka vizituar Amerikën, pasi i ka kufizuar udhëtimet e tij pas largimit nga postet qeveritare.