Kryeministri Edi Rama ndodhet në Tivat të Malit të Zi, ku po zhvillohet Samiti BE–Ballkani Perëndimor. Ky takim i nivelit të lartë mbledh krerët e shteteve të rajonit dhe drejtuesit e Bashkimit Europian, gjashtë muaj pas samitit të fundit të mbajtur në Bruksel.
Axhenda e punimeve fokusohet në temën “Prosperiteti i Përbashkët dhe Stabiliteti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”. Diskutimet do të përqendrohen në tri shtylla kryesore:
• Ecuria e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian.
• Integrimi gradual i vendeve të rajonit në tregun dhe politikat e BE-së.
• Zbatimi i Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Samiti po kryesohet nga Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, ndërsa pritësi i këtij eventi është Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatović. Në punimet e samitit marrin pjesë figura të larta europiane, si Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas.
Programi zyrtar përfshin ceremoninë e mirëseardhjes dhe seancën plenare, ku liderët do të shkëmbejnë pikëpamje mbi prioritetet e përbashkëta, sfidat e sigurisë, stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Ky takim zhvillohet në kuadër të zbatimit të Agjendës Strategjike të Këshillit Europian 2024–2029, duke rikonfirmuar angazhimin për perspektivën europiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Përditësime
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Tivat, Mali i Zi, ku po merr pjesë në punimet e Samitit BE-Ballkani Perëndimor që mbahet ditën e sotme.
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Tivat që prej mbrëmjes së të enjtes, 4 qershor, për të marrë pjesë në samitin BE-Ballkani Perëndimor që mbahet sot.
Në margjinat e samitit BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Tivat, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim dypalësh me kancelarin gjerman Friedrich Merz. Liderët i mbyllën punimet me foton tradicionale familjare.