Sasha Micev, shtetas i Bosnje e Hercegovinës, u dënua në Shtetet e Bashkuara me pesë vjet burgim pasi pranoi fajësinë për shkeljen e ligjeve amerikane dhe sanksioneve ndërkombëtare kundër Koresë së Veriut. Prokurorët amerikanë e përshkruan si tregtar ndërkombëtar të armëve. Sipas hulumtimit të Shërbimit të Ballkanit të Radio Evropa e Lirë (REL), gjatë dekadës së fundit Micev regjistroi të paktën tri kompani në Bosnje e Hercegovinë, dy prej tyre në Banjallukë.
Micev u arrestua në janar të vitit 2023 në Aeroportin John F. Kennedy, në Nju Jork, dhe qëndroi në paraburgim deri në shpalljen e aktgjykimit, në shtator të vitit 2026. Dënimi lidhet me përpjekjen e tij për të ndërmjetësuar shitjen e sistemeve raketore kundërajrore SA-18 Igla nga Koreja e Veriut. Sipas një dokumenti gjyqësor, ai pranoi të dëbohej nga SHBA-ja pasi të vuajë dënimin.
Njëra prej kompanive të lidhura me Micevin mori pëlqimin e Qeverisë së entitetit serb të Bosnjës, Republikës Sërpska, për prodhimin dhe riparimin e armatimit dhe pajisjeve ushtarake. Nuk dihet nëse kompania siguroi edhe lejet e nevojshme nga institucionet shtetërore. Ministria e Tregtisë e Republikës Sërpska dhe Ministria e Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike të Bosnje e Hercegovinës nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it për veprimtarinë e kompanive.
Sipas të dhënave publike, Micev i nisi aktivitetet e biznesit në Bosnje e Hercegovinë para 12 vjetësh. Në vitin 2014, ai regjistroi në Banjallukë kompaninë BSTG, të autorizuar për dhjetëra veprimtari, përfshirë kultivimin e frutave të imëta, shitjen e automjeteve dhe shërbimet e kujdesit për lëkurën dhe fytyrën. Në vitin 2017 u themelua Balkan Security Tech Group, e regjistruar kryesisht për veprimtari të ngjashme. Në dokumentet e saj si pronar figuron Sllobodan Micev, person me të njëjtin mbiemër, por me emër tjetër.
Partneri i biznesit i Micevit në Bosnje e Hercegovinë ishte Douglas Enrique Rios, shtetas amerikan me origjinë nga El Salvadori. Ai është i lidhur me disa kompani amerikane në sektorin e municionit dhe industrisë së mbrojtjes. Dokumentet gjyqësore amerikane, të shqyrtuara nga REL-i, tregojnë se Rios ishte i përfshirë edhe në disa procese gjyqësore që lidhen me industrinë e armëve të zjarrit.
REL-i nuk mori përgjigje nga kompanitë e regjistruara në Bosnje e Hercegovinë nga Micev dhe Rios. Prokuroria e Bosnje e Hercegovinës nuk iu përgjigj pyetjeve nëse ishte në dijeni të rastit ose nëse ishte kontaktuar nga autoritetet amerikane. REL-i gjithashtu nuk arriti të përcaktonte ku jetonte Micev para arrestimit dhe nëse kishte shtetësi tjetër, përveç asaj të Bosnje e Hercegovinës.
Koreja e Veriut është nën sanksionet e Kombeve të Bashkuara për shkak të programit të saj bërthamor. Sanksionet përfshijnë embargon për eksportin e armëve, të cilën duhet ta respektojnë të gjitha shtetet anëtare të OKB-së.