Raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, shprehu shqetësim për përplasjet e dhunshme mes protestuesve dhe Policisë në Tiranë dhe bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të përshkallëzimit. Reagimi i tij u publikua në rrjetet sociale më 18 tetor, pas protestave në kryeqytet.
Schieder tha se dhuna nuk është zgjidhje, pavarësisht nëse ushtrohet nga individë të dhunshëm që përfshihen në protesta apo nga shteti dhe policia. Ai u bëri thirrje palëve të ndalin veprimet që mund të përkeqësojnë situatën.
Në deklaratën e tij, Schieder iu referua të rinjve që po dalin në rrugë në qytete të ndryshme evropiane, përfshirë Parisin, Berlinin dhe Tiranën. Sipas tij, ata kërkojnë arsim më të mirë dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Ai i cilësoi këto kërkesa të drejta dhe të nevojshme, duke thënë se ato duhet t’i nxisin qeveritë të rishikojnë qasjen e tyre.
Raportuesi theksoi se arsimi është investimi më i rëndësishëm për të ardhmen dhe nuk duhet të varet nga mundësitë financiare të prindërve. Ai përsëriti se dhuna, qoftë nga individë të dhunshëm që depërtojnë në protesta, qoftë nga shteti dhe policia, nuk është mënyra e duhur për të arritur ndryshime.
Schieder tha se ishte veçanërisht i shqetësuar për situatën në Tiranë dhe kërkoi që përshkallëzimi të ndalet menjëherë.