Gjatë kontrollit rutinë në hyrje të Republikës së Kosovës, në pikën e kalimit kufitar Dheu i Bardhë, zyrtarët policorë kanë ndaluar një shtetas kosovar, në automjetin e të cilit u gjet një sasi dokumentesh që i përkisnin personave të tjerë, të gjithë shtetas të Republikës së Kosovës. Ngjarja është shënuar më 27 korrik 2026, rreth orës 13:15.
Sipas raportimeve zyrtare, dokumentet e sekuestruara përbëhen nga:
• Certifikata të lindjes, shtetësisë dhe martesës të lëshuara nga autoritetet serbe;
• Kopje të letërnjoftimeve të Republikës së Kosovës;
• Vendime të ndryshme të gjykatave të Serbisë.
Pas intervistimit nga hetuesit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt hetimore. Organet e rendit kanë iniciuar rastin si "Legalizim i përmbajtjes së pavërtetë". Hetimet për të zbardhur rrethanat e posedimit të këtyre dokumenteve dhe qëllimin e tyre janë duke vazhduar nga autoritetet kompetente.