Më 12 shkurt 2026, rreth orës 12:15, në Pikëkalimin Kufitar Vërmicë, zyrtarët doganorë të Njësisë së Antikontrabandës në kuadër të Doganës së Kosovës kanë identifikuar një automjet që nuk iu bind urdhrit për ndalim dhe u largua nga pika e kontrollit.
Zyrtarët u vunë menjëherë në ndjekje të automjetit në autostradë, e ndaluan dhe e kthyen nën përcjellje zyrtare në Vërmicë për kontroll të detajuar. Gjatë kontrollit u konstatua se automjeti transportonte dërgesa postare të destinuara për blerës në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Pas numërimit dhe verifikimit:
• 233 pako;
• 1.376 njësi mallrash të ndryshme;
• Vlerë e përgjithshme: 33.810,98 euro;
• Shmangie nga detyrimet doganore: 10.075,67 euro.
Malli përfshinte artikuj tekstili, këpucë, produkte kozmetike, aksesorë, produkte ushqimore dhe mallra të tjera konsumi.
Në vendngjarje kanë dalë njësitë hetimore të Doganës së Kosovës. Me urdhër të prokurorit kompetent u iniciua rast për vepër penale. I gjithë malli u sekuestrua dhe evidentua sipas procedurave ligjore, ndërsa automjeti u konfiskua përkohësisht dhe u dërgua në hapësirat zyrtare të Doganës. I dyshuari u dërgua në mbajtje për 48 orë me urdhër të prokurorit kujdestar.