Prokuroria Themelore në Mitrovicë njoftoi më 22 tetor se, pas hetimeve disamujore për dyshime për futjen e mallrave nga Serbia në Kosovë përmes rrugëve ilegale në veri, janë sekuestruar 22 automjete dhe mallra me vlerë doganore mbi 200 mijë euro. Vlera nuk përfshin taksat dhe detyrimet e tjera. Aksionet u zhvilluan në disa lokacione, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Doganën dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Mallrat e sekuestruara përfshijnë produkte ushqimore, pije alkoolike, joalkoolike dhe energjike, cigare, barna pa banderola, produkte higjienike dhe tekstile. Mes tyre kishte edhe veshje me marka tregtare të mbrojtura, për të cilat, sipas Prokurorisë, mungonin autorizimet ose licencat përkatëse. Automjetet përfshinin kamionë, furgonë, xhipa dhe vetura.
Në njërin nga rastet u gjetën 504 shpezë të gjalla, pa dokumentacion për origjinën dhe pa certifikatë shëndetësore. Me vendim të inspektorit veterinar, ato u asgjësuan për shkak të rrezikut për shëndetin e qytetarëve.
Hetimet nisën në prill të vitit 2026. Sipas Prokurorisë, masat e veçanta hetimore u zbatuan nga 24 prilli, me urdhër të Prokurorit të Shtetit. Nga maji deri në shtator u zhvilluan mbi 20 aksione në zonat kufitare dhe në vendbanimet e komunave të Zubin Potokut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut. Aksione të tjera u zhvilluan më 22 tetor.
Prokuroria tha se hetimet ndihmuan në identifikimin e rrugëve të dyshuara të futjes së mallrave, personave dhe automjeteve të përfshira, si dhe të vendeve ku mallrat shkarkoheshin, depozitoheshin dhe shpërndaheshin. Sipas njoftimit, në shumicën e rasteve automjeteve u ishin hequr ulëset e pasme. Drejtuesit, kur vërenin zyrtarët policorë, i braktisnin automjetet dhe largoheshin.
Rasti po hetohet për dyshime për veprat penale “Kontrabandimi i mallrave”, sipas nenit 311, dhe “Tregtia e ndaluar”, sipas nenit 299 të Kodit Penal të Kosovës. Personat e dyshuar janë identifikuar dhe procedura penale ndaj tyre vazhdon. Prokuroria tha se hetimet janë në fazën përfundimtare dhe se vendimet do të merren pas vlerësimit të provave, brenda afateve ligjore.