Serbia ka reaguar ashpër ndaj takimit trepalësh të shefave të mbrojtjes së Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, të mbajtur në Tiranë për të thelluar bashkëpunimin ushtarak.
Ministria e Mbrojtjes në Beograd e ka cilësuar këtë veprim si shkelje të rëndë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të Marrëveshjes Ushtarako-Teknike të Kumanovës. Sipas saj, Kosova është pjesë integrale e Serbisë, nën administrimin e përkohshëm të OKB-së, dhe KFOR-i është i vetmi formacion i armatosur legjitim në territorin e Kosovës dhe Metohisë.
Reagimi thekson se përpjekjet për të forcuar Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) përmes marrëveshjeve rajonale përbëjnë goditje ndaj rendit ligjor ndërkombëtar dhe kërcënim për paqen në Ballkanin Perëndimor. Këto lëvizje mund të kenë pasoja afatgjata sigurie dhe të destabilizojnë rajonin.
Republika e Serbisë e sheh aleancën si faktor presioni dhe sfidë sigurie për të dhe për popullin serb në Kosovë. Ajo deklaron se mbetet e përkushtuar për paqe, por nuk do të lejojë rrezikimin e interesave të saj kombëtare dhe mbrojtëse.
Ministri serb për Integrime Evropiane, Nemanja Staroviç, e ka quajtur aleancën provokim të egër dhe destabilizim të maskuar si bashkëpunim. Ai shkruan se Kroacia dhe Shqipëria, si anëtarë të NATO-s, po ndërtojnë hapur aleancë ushtarake me një entitet të panjohur, të cilit Rezoluta 1244 i ndalon shprehimisht krijimin e ushtrisë. Qëllimi, sipas tij, është rrethimi, frikësimi dhe kërcënimi i Serbisë.