Ministria e Mbrojtjes e Serbisë dhe ajo e Izraelit nënshkruan Marrëveshjen e përgjithshme të sigurisë për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të të dhënave sekrete në fushën e mbrojtjes. Kjo marrëveshje rikthen në fokus bashkëpunimin ushtarak mes dy vendeve dhe krijon kushte për veprimtari në industrinë e mbrojtjes, sipas autoriteteve serbe, të cilat nuk japin hollësi shtesë.
Opozita serbe kritikoi thellimin e bashkëpunimit me Izraelin, duke e vlerësuar si të papërshtatshëm në kontekstin e operacioneve ushtarake të këtij shteti në Gazë dhe të përfshirjes së tij në konfliktin me Iranin. Në përgjigje, presidenti Aleksandar Vuçiq tha më 5 maj se nuk dëshiron t’i japë llogari askujt dhe se Serbia bashkëpunon me të dyja vendet.
Konsulenti për siguri dhe gjeopolitikë Nikolla Lluniq vlerësoi se marrëveshje të tilla shërbejnë si hapi i parë për eksportin e teknologjisë ushtarake të sofistikuar. "Asnjë kompani e industrisë së mbrojtjes me produkte moderne nuk do të vijë në një vend të tretë, nëse teknologjia e saj nuk mbrohet në mënyrën e duhur", tha ai për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë (REL).
Qeveria serbe dhe Ministria e Mbrojtjes nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it për ndikimin e marrëveshjes në bashkëpunimin mes dy vendeve. Edhe Ministria e Mbrojtjes e Izraelit nuk iu përgjigj deri në publikimin e raportit.
Izraeli nuk është i vetmi partner. Serbia ka nënshkruar marrëveshje të ngjashme për shkëmbimin dhe mbrojtjen e të dhënave sekrete me mbi 20 vende dhe organizata ndërkombëtare. Qëllimet kryesore përfshijnë mbrojtjen e të dhënave të shkëmbyera, sigurinë e objekteve dhe të personelit.