Të mërkurën, tregjet ndërkombëtare reaguan me rritje pas raportimeve se Shtetet e Bashkuara dhe Irani janë pranë një marrëveshjeje për t’i dhënë fund konfliktit.
Menjëherë pas këtyre raportimeve, çmimet e naftës pësuan rënie të ndjeshme. Kontratat e ardhshme të naftës Brent zbritën nën 100 dollarë për fuçi. Në mesditë, çmimi arriti në 97.48 dollarë për fuçi nga 108 dollarë më parë, duke shënuar rënie prej afro 11% dhe nivelin më të ulët që nga 22 prilli.
Çmimet mbeten megjithatë më të larta se rreth 70 dollarë për fuçi, niveli para nisjes së konfliktit mes SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, i cili ka ndikuar në prodhimin dhe transportin e naftës në rajon.
Tregjet financiare u ngritën. Indeksi FTSE 100 u rrit me mbi 2% në hapje, ndërsa DAX dhe CAC 40 fituan pothuajse 3%. Në SHBA, S&P 500 u rrit me më pak se 1%.
Në qendër të tensioneve ka qenë kërcënimi i Iranit për të sulmuar cisternat e naftës në Ngushticën e Hormuzit, rrugë detare ku kalon rreth një e pesta e dërgesave globale të naftës dhe gazit. Kjo ngushticë ka qenë pothuajse e bllokuar për javë të tëra.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, deklaroi se faza fillestare e operacioneve ushtarake ka përfunduar dhe se Uashingtoni synon zgjidhje paqësore. “Ne preferojmë rrugën e paqes. Ajo që preferon presidenti është një marrëveshje”, tha ai.