Agjencia Amerikane për Doganat dhe Mbrojtjen e Kufirit (CBP) njoftoi të martën se ka lëshuar një urdhër për ndalimin e dërgesave të bakrit dhe produkteve të bakrit që prodhohen në Serbi nga kompania kineze Zijin Copper D.O.O. Vendimi hyn në fuqi menjëherë, duke urdhëruar stafin e CBP-së në të gjitha pikat hyrëse në Shtetet e Bashkuara të ndalojnë pranimin e këtyre produkteve.
Sipas njoftimit zyrtar, ky urdhër është pasojë e një hetimi që tregoi se punëtorët e kompanisë janë të ekspozuar ndaj gjashtë treguesve të punës me detyrim, të përcaktuar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës. Këta tregues përfshijnë shfrytëzimin e cenueshmërisë, mosdhënien e pagave, frikësimin dhe kërcënimet, kufizimin e lirisë së lëvizjes, mbajtjen e dokumenteve personale dhe orët e tepërta të punës. Hetimi u bazua në deklarata të punëtorëve, fotografi, raporte të organizatave joqeveritare, artikuj mediatikë dhe kërkime akademike.
Ndihmëskomisionerja ekzekutive e Zyrës për Tregti të CBP-së, Susan S. Thomas, deklaroi se zbatimi i këtyre ligjeve synon mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe sigurisë ekonomike të Shteteve të Bashkuara. Ajo theksoi se prodhuesit amerikanë përballen me konkurrencë të pandershme kur kompanitë e huaja ulin kostot përmes shfrytëzimit të punës me detyrim.
Kjo është hera e dytë që autoritetet amerikane ndërmarrin një hap të tillë kundër një kompanie kineze me bazë në Serbi. Më herët, një urdhër i ngjashëm ishte vendosur për gomat e automjeteve të prodhuara nga kompania Linglong në qytetin e Zrenjaninit.