Shtetet e Bashkuara i kanë bërë të qartë Iranit se nuk pranojnë kërkesat për ndryshimin e vendit dhe formatit të bisedimeve të parashikuara për të premten në Stamboll, sipas dy zyrtarëve amerikanë të cituar nga Axios.
Bisedimet SHBA-Iran ishin rënë dakord të zhvilloheshin në Stamboll, me pjesëmarrjen e vendeve të tjera të Lindjes së Mesme si vëzhgues. Të martën, pala iraniane kërkoi zhvendosjen në Oman dhe format thjesht dypalësh, për t’u përqendruar vetëm në programin bërthamor, duke lënë jashtë çështje si raketat, prioritet për SHBAnë dhe vendet e rajonit.
Zyrtarët amerikanë shqyrtuan kërkesën, por të mërkurën e refuzuan. “U thamë se ose do të bëhet kështu, ose nuk do të bëhet fare, dhe ata u përgjigjën ‘atëherë asgjë’”, deklaroi një zyrtar i lartë amerikan. Ai shtoi se Uashingtoni është i gatshëm për takim brenda kësaj jave ose javës së ardhshme, nëse Irani kthehet në kuadrin fillestar. “Ne duam të arrijmë shpejt një marrëveshje thelbësore, përndryshe disa do të fillojnë të shqyrtojnë opsione të tjera”, tha ai, duke iu referuar kërcënimeve të Donald Trump për veprime ushtarake.
Ndërkohë, i dërguari special i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, dhe dhëndri e këshilltari i Trump, Jared Kushner, pritet të udhëtojnë të enjten në Katar për bisedime me kryeministrin lidhur me Iranin. Sipas planit, ata do të kthehen në Majami, pa zhvilluar takim me palën iraniane.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se SHBAtë janë të gatshme për takim brenda javës, por bisedimet duhet të përfshijnë një gamë të gjerë çështjesh, jo vetëm programin bërthamor. Ai konfirmoi se Teherani kundërshton planin e Uashingtonit.
Përditësime
Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi konfirmoi në X bisedimet për të premten, 6 shkurt 2026, në Maskat të Omanit, ora 10:00 lokale. Ai falënderoi Omanin për ndërmjetësimin.
SHBA pranoi zhvendosjen nga Stambolli, duke konfirmuar takimin pas pezullimit.
Donald Trump deklaroi për NBC se Ajatollah Khamenei duhet të jetë "shumë i shqetësuar".
Irani shpreh gatishmërinë për të diskutuar raketat balistike dhe rolin e aleatëve përtej çështjes bërthamore (NYT).
Zhvillime të tjera:
• Udhëheqës të Lindjes së Mesme ushtrojnë presion për vazhdimin e bisedimeve (Axios).
• Zyrtarë SHBA pranojnë se pozita e tyre buron nga respekti ndaj aleatëve dhe frika nga veprimet e Donald Trump.
Një zyrtar izraelit deklaroi se ka një 'hendek shumë të gjerë midis palëve', sipas Ynet.
- Witkoff dhe Kushner vizitojnë Abu Dabi për krizën e Ukrainës, para udhëtimit në Katar.
- Udhëheqës arabë e myslimanë ushtrojnë presion urgjent ndaj administratës Trump për rivendosjen e takimit.