Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka shqyrtuar mundësinë e blerjes së kompleksit Royal Mint Court në Londër, vendi ku Kina ka planifikuar ngritjen e ambasadës së saj të re. Kjo iniciativë është menduar si një ndërhyrje në rast se proceset ligjore do të bllokonin përfundimisht realizimin e projektit kinez. Sipas raportimeve, bëhet fjalë për një ide joformale dhe në fazë eksploruese, e cila mbështetet nga ata që e shohin si një fitore gjeopolitike, pasi do t'i pamundësonte Pekinit hapjen e një përfaqësie diplomatike në një prej zonave më strategjike të kryeqytetit britanik.
Së fundmi, projekti i ambasadës kineze mori dritën jeshile nga Gjykata e Lartë britanike, pas një sfide ligjore të mëparshme. Megjithatë, banorët lokalë kanë paralajmëruar apelimin e vendimit, gjë që e mban të hapur mundësinë e vazhdimit të betejës gjyqësore. Zyrtarët amerikanë kanë shprehur më herët shqetësime në lidhje me vendndodhjen e këtij kompleksi, duke përmendur afërsinë me infrastrukturën thelbësore të komunikimit dhe rreziqet e mundshme për sigurinë kombëtare.
Në lidhje me këto shqetësime, qeveria britanike ka deklaruar se ato janë shqyrtuar me kujdes dhe se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbutjen e rreziqeve. Për momentin, nuk ka pasur negociata zyrtare për një blerje të mundshme të kompleksit nga ana e Shteteve të Bashkuara. Çdo ndryshim i pronësisë do të kërkonte miratimin e autoriteteve përkatëse të disa vendeve, duke e bërë procesin të ndërlikuar.